03/09/2026
ARON PIRA — NJË JETË E RE E SHUAR, NJË DHIMBJE E PAKUFISHME
Ka lajme që të tronditin shpirtin dhe të lënë pa fjalë.
Me dhimbje të thellë morëm lajmin e kobshëm për ndarjen nga jeta të bashkëvendasit tonë, Shoqata Mërgata e Pozheranit shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen tragjike nga jeta të mërgimtarit tonë të ri, Aron Pira.
Aroni, në moshën vetëm 18–19 vjeç, u nda nga jeta aksidentalisht, duke lënë pas një familje të pikëlluar, të afërm, miq dhe një komunitet të tërë që sot e ndien rëndë këtë humbje.
Në një moshë kur jeta sapo kishte nisur të hapte dyert e saj, kur ëndrrat ishin përpara dhe e ardhmja pritej me shpresë, kjo jetë u ndërpre tragjikisht.
Malli për Kosovën dhe dëshira për t’u kthyer në vendlindje janë ndjenja që i njeh çdo mërgimtar. Por askush nuk e mendon se një kthim i dëshiruar mund të shndërrohet në një lamtumirë të përjetshme.
Aron, u ktheve në vendlindje, por jo ashtu siç e kishim dëshiruar të gjithë.
Sot, dhimbja e familjes Pira është dhimbje e të gjithë Pozheranit. Është dhimbje e mërgatës sonë, kudo që ndodhet.
Në emër të Shoqatës Mërgata e Pozheranit, bashkëndjejmë thellë me familjen Pira, të afërmit, miqtë dhe të gjithë bashkëvendasit tanë në këtë humbje të rëndë.
Zoti i dhëntë familjes forcë e durim për ta përballuar këtë dhimbje të madhe.
U prehtë në paqe shpirti i Aronit.
Kujtimi për të qoftë i përjetshëm.
Ngushëllime të sinqerta familjes Pira dhe gjithë Pozheranasve.