23/04/2026
Teatri Kombëtar i Kosovës në “DoSEL-Drama of Smaller European Languages” - Drama e Gjuhëve më të Vogla Evropiane Showcase në Valleta, Maltë 🇲🇹
Nga 16–22 prill 2026, Teatri Kombëtar i Kosovës mori pjesë si partner në kuadër të projektit dyvjeçar “DoSEL”, në Showcase-in e organizuar nga National Agency for the Performing Arts Malta dhe Teatru Malta në Valleta.
Programi vendosi në qendër përkthimin si një praktikë të gjallë artistike, duke bashkuar dramaturgë, përkthyes, regjisorë, aktorë, studiues dhe publikun. Përveç shfaqjeve, u organizuan lexime të përbashkëta, diskutime dhe reflektime mbi rolin e përkthimit sot, përfshirë edhe ndikimin e inteligjencës artificiale.
Në ditën e katërt u mbajt sesioni i leximit skenik të dramave të përkthyera në kuadër të projektit. Nga Kosova u lexua drama “Udhëtimi i Familjes Bosh në Unmikistan” e autorit Jeton Neziraj, e cila është përkthyer në gjuhën spanjishte nga María Roces González dhe në gjuhën baske nga Izaskun Gracia Quintana, një bashkëpunim në mes të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe International Arriaga Theatre Bilbao. Ky bashkëpunim erdhi si vazhdim i “Translation Workshop” të mbajtur në prill 2025 në Bilbao, ku morën pjesë autori dhe përkthyeset.
Projekti “DoSEL” është në vitin e dytë, të fundit të implementimit, ndërsa përmbyllja zyrtare do të mbahet në tetor 2026 në Zagreb, Kroaci, ku gjithashtu do të bëhet publikimi i dramave të përkthyera që do të botohen.
Edicioni i parë i “DoSEL” u zhvillua në Kranj, Slloveni, në mars 2025, në kuadër të edicionit të 55-të të “Javës së Dramës Sllovene”, ku Teatri Kombëtar i Kosovës mori pjesë me shfaqjen “Kamarja e Turpit” me autor Ismail Kadare, me dramatizim të Doruntina Basha dhe regji të Kushtrim Koliqit.
Teatri Kombëtar i Kosovës u përfaqësua nga Koordinatorja e Projektit, Dramaturgja Zoga Çeta Çitaku dhe Zyrtarja për Komunikim, Rrita Reka.
Për më shumë informata, vizitoni: dosel.eu
Ky projekt është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian.
Në kuadër të projektit, Teatri Kombëtar i Kosovës është partner me teatrot Prešernovo Gledališče Kranj, Teatro Arriaga Antzokia Sala Beckett / Obrador Internacional de Dramatúrgia, Teatru Malta, Hrvatsko Narodno Kazalište u Zagrebu, Eesti Teatri Agentuur, НАРОДЕН ТЕАТЪР “ИВАН ВАЗОВ”, Teden Slovenske Drame.