13/08/2026
Përmbyllet me sukses projekti “Rinia në Veprim – Festojmë së Bashku Ditën Ndërkombëtare të Rinisë 2026”
Me sukses është përmbyllur projekti “Rinia në Veprim – Festojmë së Bashku Ditën Ndërkombëtare të Rinisë 2026”, i organizuar nga Lipjan Youth Center – LYC dhe i financuar nga Komuna e Lipjanit.
Gjatë realizimit të projektit, të rinjtë e Komunës së Lipjanit u përfshinë në një sërë aktivitetesh edukative, rekreative, vullnetare dhe kulturore, të cilat synuan fuqizimin e tyre, promovimin e pjesëmarrjes aktive dhe krijimin e mundësive për socializim dhe bashkëpunim.
Projekti filloi me punëtorinë “Fuqizimi i Rinisë – Lidershipi, Vullnetarizmi dhe Angazhimi Qytetar”, ku të rinjtë përmes diskutimeve interaktive, punës në grup dhe ushtrimeve praktike zhvilluan njohuri dhe shkathtësi të reja në fushën e lidershipit, vullnetarizmit dhe angazhimit në komunitet.
Në kuadër të projektit u realizua edhe një aktivitet komunitar dhe rekreativ, i cili përfshiu aksionin vullnetar për pastrimin e hapësirës publike, si dhe aktivitete rekreative si shah dhe pikado. Përmes këtyre aktiviteteve, të rinjtë patën mundësi të kontribuojnë në komunitet, të promovojnë kujdesin ndaj mjedisit, të socializohen dhe të kalojnë kohë në një atmosferë pozitive dhe bashkëpunuese.
Projekti u përmbyll me mbrëmjen rinore, e organizuar në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë. Mbrëmja krijoi një atmosferë festive dhe mundësi për të rinjtë që të socializohen, të argëtohen dhe të festojnë së bashku.
Përmes këtyre aktiviteteve, projekti arriti të krijojë një hapësirë të përbashkët ku të rinjtë mësuan, bashkëpunuan, kontribuuan dhe festuan së bashku. Lipjan Youth Center – LYC falënderon Komunën e Lipjanit për mbështetjen financiare dhe të gjithë të rinjtë, vullnetarët, partnerët dhe bashkëpunëtorët që kontribuuan në realizimin me sukses të këtij projekti.
Rinia në Veprim – sepse të rinjtë janë energjia dhe forca e komunitetit!