09/08/2026
KUJTESA - Dita 6 në Etno Fest ❤️
Një tjetër natë e Etno Festit u zhvillua mes tingujve të muzikës, skenës teatrore dhe kulturës tradicionale, duke sjellë në Kukaj artistë dhe krijues nga treva të ndryshme. Mbrëmja e gjashtë vazhdoi në ritmin e festivalit, me një program që solli në vëmendje kujtesën, traditën dhe format e ndryshme të shprehjes artistike.
Mbrëmja u hap nga Etno Ansambli “Vullkani i Istogut” nga Istogu, i cili solli në skenën e Etno Festit energjinë, ritmin dhe gjallërinë e traditës sonë autoktone. Përmes një performance plot dinamizëm, ansambli prezantoi këngë, valle, motive dhe elemente të trashëgimisë kulturore të trevës së Istogut, duke krijuar një atmosferë festive dhe duke e përfshirë publikun në këtë përvojë artistike. Prania e tyre në këtë edicion dëshmoi edhe një herë rëndësinë e ruajtjes dhe transmetimit të traditës kulturore nga një brez te tjetri.
Në vazhdim, programi u pasurua me një koncert artistik të interpretuar me ndjeshmëri dhe përkushtim nga Blerim Grubi, Nita Grubi dhe Arjana Kuriu Grubi. Interpretimi i tyre solli momente të veçanta muzikore, të mbushura me emocion dhe finesë artistike, duke i dhënë mbrëmjes një tjetër dimension dhe duke krijuar një hapësirë të veçantë për muzikën dhe interpretimin.
Në qendër të programit të kësaj mbrëmjeje ishte shfaqja teatrore “Pesë fytyrat e heshtjes”, e regjisorit Ilir Bokshi, e sjellë në skenën e Etno Festit nga trupa e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Përmes një qasjeje të veçantë skenike, shfaqja solli para publikut një rrëfim të fuqishëm, duke trajtuar tema njerëzore që lidhen me heshtjen, përjetimin, dhunën familjare dhe atë që shpesh mbetet e pathënë. Loja e aktorëve dhe ndërtimi i situatave skenike krijuan një komunikim të drejtpërdrejtë me publikun, duke e mbajtur atë të përfshirë gjatë gjithë shfaqjes.
Prania e Teatrit “Migjeni” nga Shkodra i dha programit një dimension të rëndësishëm ndërkulturor, duke sjellë një pjesë të traditës dhe përvojës teatrore të qytetit të Shkodrës. “Pesë fytyrat e heshtjes” u bë një nga momentet qendrore të mbrëmjes, duke dëshmuar rolin e teatrit si hapësirë për reflektim, komunikim dhe trajtim të temave që prekin përvojën njerëzore.
Mbrëmja vazhdoi deri në orët e vona me muzikën e Etno Nejës nga Grupi “Melodia e Vjetër”. Repertori i tyre solli një tjetër ritëm në hapësirat e festivalit, duke e mbajtur gjallë atmosferën festive dhe duke i dhënë publikut mundësinë të shijojë muzikën deri pas mesnate. Përmes interpretimit të tyre, u rikthyen tinguj dhe motive të traditës sonë muzikore e shpirtërore, duke e përmbyllur programin e kësaj nate me një atmosferë të ngrohtë, festive dhe plot gjallëri.
Nga Albin Kushnini
Fotografitë nga Adi Beqiri
Sponzor gjeneral për Etno Fest 2026 - BPB