18/02/2026
Manifestimi i katërt me radhë “Mirë se vjen Ramazan” u mbajt në ambientet e Pallatit të Kulturës, duke sjellë edhe një herë atmosferën e veçantë të pritjes së muajit të bekuar. Ky ishte viti i dytë që ky organizim madhështor u realizua nën përkujdesjen e Myftinisë së Tetovës, me në krye Hfz. Dr. Selver Xhemailin dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët me përkushtim e kthyen këtë mbrëmje në një festë shpirtërore për të gjithë të pranishmit.
Nën udhëheqjen e hoxhallarëve të nderuar Nuhi ef. Ganiu, Omer ef. Dauti dhe Mafiz ef. Rustemi, ky manifestim dëshmoi se Ramazani nuk është thjesht një muaj në kalendar, por një thirrje për kthim te vetja, te Zoti dhe te njëri-tjetri.
Mbrëmjen e nderuan me praninë e tyre personalitete të respektuara nga treva të ndryshme: myftiu i Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili, drejtori i Institutit të Hifzit në Gostivar Mr. Eljesa ef. Asani, artisti i njohur Arsim Fazlija dhe kënduesi i bukur i Kur’anit nga Turqia Hfz. Fatih Derdiyok, zëri i të cilit preku zemrat e të pranishmëve dhe solli qetësi në shpirtra.
Ligjërata e thellë dhe shumë kuptimplotë nga profesori i nderuar Prof. Dr. Musa Musai ishte një udhërrëfim i qartë për vlerën e Ramazanit si shkollë e durimit, e faljes dhe e vetëpastrimit shpirtëror. Ai na kujtoi se agjërimi nuk është vetëm ndalim nga ushqimi e pija, por disiplinë e zemrës, edukim i shpirtit dhe ngritje morale.
Programi u moderua me profesionalizëm nga Faton Zylbeari, duke i dhënë mbrëmjes rrjedhë të bukur dhe dinjitoze.
Një moment i veçantë ishte ndarja e mirënjohjeve nga ana e Muftinisë së Tetovës për donatorët e nderuar, të cilët me bujarinë e tyre e mbështesin vazhdimisht misionin fetar e arsimor. Lutemi që Allahu t’i shpërblejë me shëndet, bereqet dhe mirësi të vazhdueshme në bamirësinë e tyre.
Mbrëmja mori një hijeshi të veçantë me interpretimin e ilahive nga kori i nxënësve të mektebit “Kopshti i Xhenetit”, nën drejtimin e Lira Xhaferit. Zërat e tyre të ëmbël sollën mesazhe paqeje, dashurie dhe shprese për muajin e bekuar. Ata janë vërtet lulet e kopshtit tonë – e ardhmja jonë – dhe meritojnë falënderim të sinqertë, bashkë me prindërit e tyre që i edukojnë me vlera të larta.
Mirësevjen, o Ramazan!
Muaji i paqes që qetëson zemrat.
Muaji i dashurisë që afron njerëzit.
Muaji i bereqetit që shton mirësitë.
Muaji i shëndetit, faljes dhe shpërblimit hyjnor.
Qoftë ky muaj një fillim i ri për secilin prej nesh – me zemër më të pastër, me shpirt më të butë dhe me vepra më të mira.
Falje, mëshirë dhe shpërblim nga i Madhi Zot për të gjithë besimtarët.