30/07/2026
Takimi Vjetor me Diasporën
Imami Lulzim Miftari, së bashku me përfaqësuesit e Xhamisë Langnau im Emmental, morën pjesë në Takimin Vjetor me Diasporën, të organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, i cili u mbajt në ambientet e Medresesë së Mesme “Alauddin” në Prishtinë.
Në këtë takim morën pjesë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ministri në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, z. Glauk Konjufca, drejtori i Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, si dhe përfaqësues të xhamive, qendrave dhe unioneve islame shqiptare nga vende të ndryshme të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Takimi shërbeu si një mundësi e mirë për forcimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e sfidave në organizimin e jetës fetare në diasporë. Përfaqësuesit e komuniteteve islame shqiptare ndanë përvojat e tyre dhe vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Bashkësinë Islame të Kosovës.
Lusim Allahun e Madhëruar ta begatojë këtë bashkëpunim, ta forcojë unitetin tonë dhe ta pranojë angazhimin e të gjithë atyre që shërbejnë për fenë dhe komunitetin. Amin.