11/08/2026
Lexoni lajmet me kujdes.
Mjaftojnë lajmet e javës së fundit për të vëzhguar mjaftueshëm.
Makina të shtrenjta - me siguri, ata që i kanë, kanë shumë para - e megjithatë përfundojnë në aksidente.
Personi me armë djali i dikujt.
Shoferi me makinë të shtrenjtë, djali i dikujt tjetër.
Bomba e hedhur nga disa që kanë para, dikujt tjetër që dukshëm ka një stil jetese që kërkon shumë para.
Unë nuk jam hetues. Kështu që asnjë prej këtyre ngjarjeve, nuk e kam hetuar. As e kam mundësinë t'i hetoj.
Por, vëzhgimi që kam, është, se këta njerëz kanë shumë para.
Dhe e vërteta e dukshme është se paratë nuk i mbrojnë dot nga telashet.
Madje, të krijohet përshtypja, se paratë janë rrënja e problemit.
Nga këndvështrimi biblik, lakmia për para, është rrënja e problemit.
Sepse lakmia për para, mes të tjerash, të jep dëshirën për të mos u ngopur kurrë me të mira materiale. Gjithmonë kërkon më shumë!
Përse disa nuk fitojnë mjaftueshëm sa për të jetuar mirë e pastaj të ndalojnë?
Sepse lakmia për të fituar më shumë, të shtyn të shkosh më thellë e më larg.
Përtej lakmisë për para, një problem tjetër që vëzhgoj, është mungesa e maturisë, së kulturës shqiptarë për t'u marrë me çështjen e parave.
Unë kam miq shumë të mirë në perëndim, të cilët janë milionerë. E megjithatë, fëmijët i rrisin me një përgjegjshmëri, për t'u pasur model.
Kur dëgjoj fëmijë të llastuar me shumë para, që veç krijojnë probleme vetes e familjeve të tyre, mendoj, se disa prej nesh, nuk e kemi maturinë e duhur për ta shqyrtuar paranë siç duhet.
Bëhemi të zotëruar prej parave, në vend të zotërimit të parave.
Dhe ky sistem të menduari, qoftë lakmia për para e qoftë mungesa e maturisë rreth të mirave materiale, do të vazhdojnë të sjellin pasoja të rënda, për disa që rastësisht gjenden aty, por më shumë, për familjet që kanë ndërtuar jetën e tyre mbi këtë sistem të menduari.
Le të përpiqemi të heqim dorë nga lakmia për para dhe të rritemi për të kuptuar vlerën e vërtetë të burimeve materiale.
Lakmia për para, do të largohet, vetëm kur ta zëvendësojmë me një "lakmi" tjetër, me një dashuri tjetër, më të fortë e më me vlerë, që është dashuria për Zotin. Për të vërtetën e përjetshme.
© Afrim Karoshi. Shkroi për Albanian Digital Connection.