Galeria Kombetare e Arteve

Galeria Kombetare e Arteve MBYLLUR
Në proçes rikonstruksioni

CLOSED
In the process of reconstruction Galeria Kombëtare e Arteve është institucion kombëtar muzeor, studimor, e shkencor.

Galeria Kombëtare e Arteve u themelua më 11 janar 1954, por fillimet e saj datojnë në vitin 1946 me funksionimin e Pinakotekës së Artit. Objektivi i saj është koleksionimi, konservimi, studimi dhe promovimi i vlerave të trashëgimisë kombëtare në fushën e arteve pamore. Gjithashtu nëpërmjet ekspozitave të përkohshme GKA fton publikun të njihet dhe ballfaqohet me rryma të rëndësishme të artit pam

or nga tradita deri tek metodat bashkohore që aplikohen sot në Shqipëri dhe në botë. Frymëzimi dhe edukimi i brezave të rinj për t’u afruar me artet pamore është një pjesë e rëndësishme e misionit të kësaj Galerie. Ne duam që çdo kush të ndihet pjesë e botes së jashtëzakonshme të artit.

Imazhe nga mbrëmja kushtuar artistit Ali Oseku (1944–2024) në kuadër të ciklit të bashkëbisedimeve “Ana tjetër e Realizm...
03/09/2026

Imazhe nga mbrëmja kushtuar artistit Ali Oseku (1944–2024) në kuadër të ciklit të bashkëbisedimeve “Ana tjetër e Realizmit Socialist: Artistët e Ndaluar”.

Në një bisedë mes Aisel Osekut, vajza e artistit, Shpëtim Osekut, vëllait të artistit dhe Gent Gjikolës, studiues dhe kurator pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, publiku pati mundësinë të njohë nga afër jetën, veprën dhe fatin e një prej figurave më të veçanta të artit shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Përmes kujtesës familjare, dokumenteve dhe analizës së krijimtarisë së tij, u soll në vëmendje historia e një artisti që sfidoi kufijtë e estetikës së kohës, u dënua për “tendenca moderniste” dhe iu mohua për vite me radhë e drejta e ekspozimit. Megjithatë, pas vitit 1991, Ali Oseku zhvilloi më tej një gjuhë artistike unike, ku ngjyra, drita dhe hapësira u bënë vetë subjekt i pikturës.

Cikli “Ana tjetër e Realizmit Socialist: Artistët e Ndaluar” synon të rikthejë në vëmendje historitë e artistëve shqiptarë të censuruar, të persekutuar ose të privuar nga krijimtaria gjatë regjimit komunist, duke krijuar një hapësirë reflektimi mbi artin, historinë dhe kujtesën kolektive.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të programit “Jehonat e Kujtesës”, organizuar nga Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, me mbështetjen e Konrad Adenauer Stiftung in Albania, në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve.

Fotot: Filmmaker Photographer

Galeria Kombëtare e Arteve: Vështrim në kohëNë pjesën e dytë të artikullit Theofan Popa përqendrohet te Onufri, i biri i...
02/09/2026

Galeria Kombëtare e Arteve: Vështrim në kohë

Në pjesën e dytë të artikullit Theofan Popa përqendrohet te Onufri, i biri i tij Nikolla dhe piktura shqiptare e shekullit XVI.

Në vitin 1951, në kishën e Shën Kollit në Shelcan të Shpatit, ekspedita e Institutit të Shkencave evidentoi mbishkrimin që dha për herë të parë emrin e Onufrit. Mbishkrime të tjera në Shën Premte në Valsh e identifikonin si “prift, piktor dhe protopapë të Neokastrës” dhe datonin pikturimin më 1554. Pesë vjet më vonë, kërkimet në Berat evidentuan vepra të tjera të Onufrit dhe, në Shën Mërinë Vllaherna, mbishkrimin e vitit 1578 që identifikonte Nikollën si birin e tij. Në vitin 1960, një mbishkrim në Kurjan dëshmonte veprimtarinë e Nikollës me piktorin Joan.

Mbi këtë bazë Popa ndërton leximin e veprës së Onufrit dhe Nikollës. Ai shqyrton shpërndarjen e pikturave, duart e ndryshme dhe çështjet e atribuimit, përpara se të ndalet te gjuha e tyre artistike. Te Onufri, Popa sheh një art ende kishtar dhe të lidhur me traditën e Kishës Lindore.

Përmes analizës së hierarkëve, Shën Grigor Teologut në Valsh dhe Shën Mërisë në Shelcan, Popa e paraqet Onufrin si artist që ndërthur traditën e trashëguar me një gjuhë të re pamore. Nikolla, megjithëse sipas tij “nuk e arriti t’anë”, vazhdon të njëjtën traditë artistike dhe teknike.

Në mbyllje, Popa i vendos të dy piktorët në atë fazë që në pjesën e parë e kishte përcaktuar si “art mbas Bizantit”. Për të, Onufri dhe Nikolla janë artistë të frymëzuar nga idetë e Rilindjes, por që i përpunojnë tiparet e reja “simbas kushteve të vendit e kohës”.

Si përfundim, studimi i Popës, përbën një nga përpjekjet e hershme akademike për të ndërtuar mbi baza historike dhe kritere artistike historinë e pikturës postbizantine në Shqipëri.

Dizajni animapictures , Artikulli NATIONAL LIBRARY OF ALBANIA , Konceptimi Galeria Kombëtare e Arteve

Galeria Kombëtare e Arteve: Vështrim në kohëTheofan Popa (1914–1985), në vitin 1960, kur shkruante për pikturën mesjetar...
01/09/2026

Galeria Kombëtare e Arteve: Vështrim në kohë

Theofan Popa (1914–1985), në vitin 1960, kur shkruante për pikturën mesjetare shqiptare, kishte gati dy dekada që merrej me studimin e trashëgimisë kulturore shqiptare. I formuar në seminarin teologjik dhe më pas në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Athinës, ai iu bashkua më 1949 Institutit të Shkencave, ku u mor me Mesjetën, ikonat, afresket dhe mbishkrimet kishtare. Në këto vite bashkëpunoi me bizantologen ruse Viktori Puzanova.

Puna e Popës lidhej drejtpërdrejt me terrenin. Në vitin 1951, në Shpat të Elbasanit, evidentoi mbishkrimet e Onufrit; më pas studioi Nikollën, të birin e tij, ndërsa në Voskopojë evidentoi veprën e David Selenicës. Studimet e tij u shtrinë te Kostandin Shpataraku, vëllezërit Çetiri, piktura murale, ikonat, kodikët dhe mbishkrimet kishtare.

Në këtë artikull, Popa e vendos këtë trashëgimi brenda një historie të gjerë politike, shoqërore dhe kulturore, përpara se të ndalet te gjuha pamore e artit bizantin dhe monumentet e ruajtura në Shqipëri.

E rëndësishme është mënyra se si Popa e shpjegon largimin e artit bizantin nga natyralizmi jo si mungesë aftësie, por si zgjedhje të një sistemi tjetër pamor dhe shpirtëror, ku vija, palëvizshmëria dhe ngjyra si “nji simfoni dekorative e toneve” marrin një rol themelor. I rreptë në leximin e periudhës së pushtimit osman, rrëfimi i tij arrin te rënia e Kostandinopojës më 1453 dhe kalimi drejt asaj që ai e quan “metabizantine (art mbas Bizantit)”, e njohur edhe si postbizantine, duke e mbyllur pjesën e parë me shfaqjen e Onufrit në këtë horizont të ri.

Ky artikull i gjatë, shterues dhe i detajuar i përket punës së një prej figurave themelore të bizantologjisë shqiptare të shekullit XX, në një fushë ku kontributi i Theofan Popës dhe Viktori Puzanovës mbetet përcaktues dhe udhërrëfyes.

Vijon në postimin tjetër.

Dizajni animapictures , Artikulli NATIONAL LIBRARY OF ALBANIA , Konceptimi Galeria Kombëtare e Arteve

Kujtim Buza (1937–2026)Që nga fillimi i viteve 1960, Kujtim Buza ishte një nga figurat e pranishme për disa dekada në ar...
31/08/2026

Kujtim Buza (1937–2026)

Që nga fillimi i viteve 1960, Kujtim Buza ishte një nga figurat e pranishme për disa dekada në artin dhe jetën institucionale shqiptare. Piktor, kritik e teoricien arti, pedagog dhe drejtues institucionesh, veprimtaria e tij lidhet ngushtë me historinë e Realizmit Socialist në Shqipëri.

Lindi në Tiranë në vitin 1937, djali i Abdurrahim Buzës. Pas shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”, studioi teori dhe kritikë arti në Leningrad më 1959–1961 dhe më pas pikturë në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, ku u diplomua më 1964.

Kujtim Buza ishte Drejtor i Galerisë së Arteve Figurative (1966–1969), inspektor dhe shef sektori në Ministrinë e Kulturës, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve (1973–1987), si dhe pedagog e shef katedre në Institutin e Lartë të Arteve. Ishte gjithashtu autor i dhjetëra shkrimeve studimore dhe monografive, ndër to “Zef Kolombi” (1966) dhe albumi “Përmendore të heroizmit shqiptar” (1973).

Pozicionet që mbajti e vendosën atë brenda mekanizmave institucionalë që formulonin dhe zbatonin politikën kulturore të periudhës. Si kritik, teoricien dhe funksionar, Buza mori pjesë në debatet dhe vlerësimet ideologjike për artin dhe në përcaktimin e kufijve brenda të cilëve zhvillohej krijimtaria artistike.

Ekspozita e tij e fundit personale në GKA u hap në vitin 2002. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve janë regjistruar dhjetëra vepra të Kujtim Buzës në pikturë dhe grafikë.

Jeta dhe veprimtaria e tij mbeten të lidhura me historinë e artit shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe me regjimin komunist, si përmes krijimtarisë dhe shkrimeve të tij, ashtu edhe përmes rolit institucional që ushtroi në sistemin kulturor të kohës. Figura e tij kërkon një trajtim më të thelluar, me qëllim vlerësimin e plotë të rolit të tij gjatë kësaj periudhe komplekse te artit dhe politikës shqiptare.

Dizajni animapictures, Konceptimi Galeria Kombëtare e Arteve

Më datë 27 Gusht 2026, pranë Liqenit Artificial, në bashkëpunim me APR, u zhvillua aktiviteti edukues "Nga Vizatimi te G...
28/08/2026

Më datë 27 Gusht 2026, pranë Liqenit Artificial, në bashkëpunim me APR, u zhvillua aktiviteti edukues "Nga Vizatimi te Grafika: Punëtori Krijuese me Safo Markon".
​Në fillim të takimit, fëmijët u njohën me veprën e pionieres së artit pamor shqiptar, Safo Marko.
Më pas, vepra printuar me ngjyrë u pre me gershërë në formë puzzle dhe u ngjit në letër duke lënë hapësirë ndërmjet copave, ku fëmijët interpretuan diçka nga vetja si vazhdimësi e veprës, duke eksploruar ilustrimin dhe grafikën përmes kolazhit dhe vizatimit.

𝐒𝐞𝐫𝐢𝐚 “𝐀𝐧𝐚 𝐭𝐣𝐞𝐭ë𝐫 𝐞 𝐑𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢𝐭 𝐒𝐨𝐜𝐢𝐚𝐥𝐢𝐬𝐭: 𝐀𝐫𝐭𝐢𝐬𝐭ë𝐭 𝐞 𝐍𝐝𝐚𝐥𝐮𝐚𝐫” 𝐯𝐚𝐳𝐡𝐝𝐨𝐧 𝐦𝐞 𝐀𝐥𝐢 𝐎𝐬𝐞𝐤𝐮𝐧 (1944–2024), një nga figurat më të ve...
28/08/2026

𝐒𝐞𝐫𝐢𝐚 “𝐀𝐧𝐚 𝐭𝐣𝐞𝐭ë𝐫 𝐞 𝐑𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢𝐭 𝐒𝐨𝐜𝐢𝐚𝐥𝐢𝐬𝐭: 𝐀𝐫𝐭𝐢𝐬𝐭ë𝐭 𝐞 𝐍𝐝𝐚𝐥𝐮𝐚𝐫” 𝐯𝐚𝐳𝐡𝐝𝐨𝐧 𝐦𝐞 𝐀𝐥𝐢 𝐎𝐬𝐞𝐤𝐮𝐧 (1944–2024), një nga figurat më të veçanta të artit shqiptar të gjysmës së dytë të shek. XX dhe fillimit të shek. XXI.

Më 1 shtator, ora 20:00, Aisel Oseku, vajza e artistit, dhe Genti Gjikola, studiues dhe kurator pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, do të tregojnë jetën dhe veprën e tij përmes kujtesës familjare dhe një pyetjeje thelbësore: çfarë kishte në artin e Osekut që e bëri të papranueshëm për sistemin?

I formuar në Institutin e Lartë të Arteve dhe skenograf i Teatrit të Operas dhe Baletit më 1970–1973, Oseku i përkiste brezit që kërkoi të zgjeronte kufijtë e gjuhës figurative shqiptare. Në pikturën dhe skenografinë e tij, ngjyra, forma dhe ndërtimi dekorativ fitonin një autonomi që nuk përputhej me kërkesën e Realizmit Socialist për një figuracion ideologjikisht të lexueshëm. Gjatë viteve 1969–1973 realizoi rreth 300 tablo.

Pas Plenumit IV të vitit 1973, ndryshimi estetik u lexua edhe si devijim ideologjik: nëse i pari të bënte të paekspozueshëm, kombinimi i të dyjave të bënte edhe të burgosshëm. Oseku u dërgua për “riedukim” dhe më 1975 u burgos për “tendenca moderniste”. Para arrestimit dogji pothuajse gjithë krijimtarinë e deriatëhershme.

Deri më 1991 iu mohua e drejta e ekspozimit. Pas rënies së regjimit, Oseku zhvilloi edhe më tej autonominë piktorike që dikur e kishte bërë armik: subjekti dhe objekti reduktohen, ndërsa ngjyra, drita dhe hapësira bëhen vetë subjekti i pikturës.

Aktiviteti zhvillohet në kuadër të “Jehonat e Kujtesës”, organizuar nga “Shtëpia me Gjethe”, me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer, në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve.

27/08/2026

Galeria Kombëtare e Arteve: Vështrim në kohë

Në këtë video, Arben Basha ndalet te fillesat e tij në pikturë, nga ndikimi i së ëmës dhe vitet e Liceut Artistik me Kel Kodhelin, te studimet në Institutin e Lartë të Arteve. Ai kujton një formim të mbështetur te mjeshtëria, puna e vazhdueshme dhe kultura estetike, ku krahas praktikës artistike kërkonte të lidhte pikturën me mendimin estetik dhe filozofik.

Basha e përshkruan marrëdhënien me veprën përmes një metafore të veçantë: piktura lind si një fëmijë që fillimisht drejtohet nga autori, por që, ndërsa merr formë, fiton jetën e vet dhe nis t’i diktojë piktorit rrugën që duhet të ndjekë.

Arben Basha (Tiranë, 1947) kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe më pas studimet për pikturë monumentale në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (1965–1969), ku studioi me Danish Jukniun, Sali Shijakun, Nexhmedin Zajmin dhe Vilson Kilicën. Në formimin e tij të hershëm një rol të rëndësishëm pati piktori Kel Kodheli.

Pas përfundimit të studimeve u emërua piktor në Kinostudion “Shqipëria e Re”, ku punoi si piktor filmi dhe kostumesh në mbi 60 filma artistikë dhe dokumentarë. Udhëtimet me ekipet e xhirimit në të gjithë Shqipërinë u lidhën ngushtë me krijimtarinë e tij si peizazhist.

Në vitin 1981 hapi ekspozitën e parë vetjake në Pallatin e Kulturës në Tiranë. Në vitin 1983 ishte ndër 14 artistët shqiptarë të ekspozuar në Londër, ndërsa në vitet 1989–1990 mori pjesë në ekspozitën “Paesaggio Albanese” në Romë.

Krijimtaria e Bashës është e lidhur veçanërisht me peizazhin, ku ngjyra dhe penelata marrin rol të rëndësishëm në ndërtimin e imazhit. Pas viteve 1990, krahas peizazhit, ai realizoi edhe një cikël veprash të lidhura me ngjarjet dhe transformimet e shoqërisë shqiptare, të trajtuara përmes përjetimit individual të artistit.

Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve ruhen 18 vepra të Arben Bashës, të realizuara ndërmjet viteve 1971–1996.

Video Produksioni: animapictures , Konceptimi: Galeria Kombëtare e Arteve

Galeria Kombëtare e Arteve: Vështrim në kohëShumë nga veprat që përmend Nexhmedin Zajmi në shkrimin e tij për krijimtari...
26/08/2026

Galeria Kombëtare e Arteve: Vështrim në kohë

Shumë nga veprat që përmend Nexhmedin Zajmi në shkrimin e tij për krijimtarinë e Vangjush Tush*t në vitin 1960 ruhen sot në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Në këtë postim do të analizojmë dy prej tyre “Kooperativisti” dhe “Rrugë në Korçë”.
Te “Kooperativisti”, i vitit 1959, Zajmi përshkruan fshatarin pothuaj gjysmëfigurë, me cfurkun mbi krah dhe kapelën e kashtës, përpara fushës së grurit që hapet drejt një horizonti të thellë dhe qiellit të kaltër. Por vëmendja e tij shkon përtej motivit. Te fytyra “e fortë si shkëmbi”, dora “plot forcë”, buzëqeshja dhe vështrimi ai kërkon karakterin e figurës, ndërsa te marrëdhënia mes portretit dhe peizazhit gjen unitetin e veprës. Ngjyra, drita dhe trajtimi, shkruan Zajmi, janë “të lidhura ngusht”, duke e bërë pikturën njëkohësisht të ndërtuar dhe të thjeshtë.
“Rrugë në Korçë”, e vitit 1952, në ekspozitën e vitit 1960, Zajmi veçon si “ndoshta dhe punën më të bukur të piktorit” një vepër të titulluar “Rrugë në dimër”. Përshkrimi i tij përputhet shumë ngushtë me pikturën e fondit të GKA: rrugica korçare me shtëpitë e vjetra karakteristike, masat shumëngjyrëshe të ndërtesave, dëbora e bardhë mbi çati, qielli i thellë në tonalitete gri dhe rruga me dëborë të shkelur nga njerëzit që kalojnë.
Ekspozita e Tush*t në Tiranë ishte plotësuar edhe me vepra që ndodheshin në Galerinë e Arteve, ndaj “Rrugë në Korçë” mund të ketë qenë ndër to. Përputhja mes përshkrimit të Zajmit, vetë pikturës dhe pranisë së saj në fond që prej vitit 1955 e bën shumë të mundshme që kjo të jetë „Rrugë në dimër“ për të cilën ai shkruante në vitin 1960.

Parë sot, “Rrugë në Korçë” nuk është ndër punët më të mira të autorit.

Imazhi 1: Vangjush Tushi, Kooperativisti, 1959, Vaj në fibër, 57 × 66.5 cm
Imazhi 2: Vangjush Tushi, Rrugë në Korçë, 1952, Vaj në fibër, 64 x 48 cm

Koleksioni i Galerisë Kombëtare të Arteve.

Dizajni no one, Konceptimi Galeria Kombëtare e Arteve

Galeria Kombëtare e Arteve: Vështrim në kohëNë pjesën e dytë të shkrimit mbi ekspozitën personale të Vangjush Tush*t, vë...
25/08/2026

Galeria Kombëtare e Arteve: Vështrim në kohë

Në pjesën e dytë të shkrimit mbi ekspozitën personale të Vangjush Tush*t, vështrimi i Nexhmedin Zajmit bëhet më kritik. Ai nis me “Rrugë në dimër”, të cilën e konsideron “ndoshta dhe punën më të bukur të piktorit”, por më pas vëren se një pjesë e mirë e veprave të tjera nuk arrijnë në “interpretim artistik”, duke mbetur në një ekzekutim pothuajse mekanik të natyrës.

Për ta argumentuar këtë, Zajmi krahason vepra të artistit. Te “Bujku kooperativist” gjen unitet mes figurës, punës dhe natyrës, ndërsa “Veterani Riza Mançe” rëndohet nga hollësitë dhe një përdorim i ngjyrës që mbetet më shumë efekt sesa pjesë organike e veprës. Të njëjtën metodë ndjek me “Rrugë në dimër” dhe “Rrugë në Korçë”, ku diferenca është përsëri e dukshme.

Nga këto krahasime del një nga idetë kryesore të kritikës së Zajmit: ngjyra dhe drita nuk janë qëllim në vetvete, por duhet t’i shërbejnë idesë dhe tërësisë së veprës. Në krijimtarinë e fundit të Tush*t, ai dallon një përpjekje për qartësi dhe pasuri të ngjyrës, por edhe rrezikun e humbjes së thellësisë.

Vërejtja më e thellë lidhet me marrëdhënien e Tush*t me natyrën. Zajmi sheh tek ai “një intimitet”, “dashuri dhe respekt të madh” ndaj saj, por mendon se kjo afërsi ndonjëherë e “skllavëron”, duke e penguar të zgjedhë dhe të përgjithësojë. Më pas, kritika kalon nga mënyra e pikturimit dhe, në fund, pyet: cili është “qëllimi kryesor” i piktorit? Një pyetje që nuk ia drejton vetëm Tush*t, por të gjithë piktorëve dhe skulptorëve shqiptarë.

Pas një analize të gjatë, gjykimi përfundimtar mbetet vlerësues: Tushi është, për Zajmin, një piktor “serioz dhe konsekuent”, me vepra që “e nderojnë dhe e përfaqësojnë mirë këtë autor”.

Vangjush Tushi (1914–1982) do të burgosej në vitin 1976 dhe do të dënohej me 10 vjet burg politik nga regjimi totalitar i E. Hoxhës për shkak të antikonformizmit ideologjik e artistik, edhe pse vuante rëndë nga Parkinsoni. Në vitin 1982, ai vdiq në burgun e Ballsh*t.

Dizajni , Artikulli NATIONAL LIBRARY OF ALBANIA , Konceptimi Galeria Kombëtare e Arteve

Galeria Kombëtare e Arteve: Vështrim në kohëNë vitin 1960, Nexhmedin Zajmi i kushton një shkrim ekspozitës personale të ...
24/08/2026

Galeria Kombëtare e Arteve: Vështrim në kohë

Në vitin 1960, Nexhmedin Zajmi i kushton një shkrim ekspozitës personale të Vangjush Tush*t, të hapur fillimisht në Korçë dhe më pas në Tiranë, ku u plotësua edhe me vepra që ndodheshin në Galerinë e Arteve. Me 87 punime – 23 vizatime dhe pjesa tjetër portrete, peizazhe, natyra të qeta e kompozime – ekspozita krijonte mundësinë për një vështrim të gjerë mbi krijimtarinë e një artisti tashmë të afirmuar.
Pjesa më e madhe e veprave i përkiste viteve 1950–1960, një dekadë që Zajmi e quan “një periudhë shumë tranzitore për artin tonë dhe për të gjithë ne artistët”, duke shtuar me një vetëdije të pazakontë historike: “Këtë çështje sigurisht historia më vonë do ta përmëndë.”
Por rëndësia kryesore e shkrimit qëndron te mënyra se si një piktor sheh punën e një piktori tjetër. Zajmi analizon ekspozitën vepër pas vepre dhe kërkon vazhdimisht marrëdhënien ndërmjet formës, ngjyrës, dritës dhe atmosferës. Te vizatimet “Rrugë në Korçë”, “Vajzë e vogël”, “Punëtori Koçi Bostanxhiu” dhe “Kovaçi” vlerëson thjeshtësinë e vijës, ndërtimin plastik dhe shprehjen psikologjike. Te “Oborri i shtëpisë” ndalet te raporti mes dritës dhe hijes, të ftohtave dhe të ngrohtave; te “Kumbullat”, te mënyra se si kompozimi, drita dhe ngjyra dallojnë materien e objekteve.
Te “Poçe me lule” vëren masën e gjelbër nga e cila shpërthejnë të kuqet dhe violetën që përshkon dritën dhe hijen, duke krijuar transparencë dhe atmosferë. Vërejtjet për peizazhin Manat në vjeshtë, ku koloritin dhe atmosferën i vlerëson, por do të zvogëlonte sipërfaqen e qiellit, janë tipike për Zajmin kritik të kohës.
Te “Kooperativisti”, me fshatarin e buzëqeshur përpara fushës së grurit, Zajmi gjen “tipin karakteristik korçar”, ndërsa ngjyra, drita dhe trajtimi krijojnë unitetin që ai kërkon në pikturë.
Në këtë pjesë të parë të shkrimit, Zajmi na jep një panoramë të krijimtarisë së Tush*t, por edhe mënyrën e tij të të parit të pikturës. Në pjesën e dytë, ky vështrim bëhet edhe më kritik.

Dizajni animapictures, Artikulli NATIONAL LIBRARY OF ALBANIA , Konceptimi Galeria Kombëtare e Arteve

Address

Tirana

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Galeria Kombetare e Arteve posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Contact The Establishment

Send a message to Galeria Kombetare e Arteve:

Shortcuts

Share

Category