08/02/2026
📌𝟗𝟎 𝐕𝐉𝐄𝐓 𝐓𝐄𝐀𝐓Ë𝐑
➖️Historiku➖️
90 vjet më parë, më 8 shkurt 1936, në qytetin e Fierit do të shfaqej pjesa e parë teatrale.
Një grup të rinjsh, të apasionuar pas artit skenik, do të sillnin për herë të parë në skenë dramën "𝐅𝐞 𝐞 𝐤𝐨𝐦𝐛ë𝐬𝐢” të 𝐚𝐮𝐭𝐨𝐫𝐢𝐭 𝐊𝐫𝐢𝐬𝐭𝐨 𝐅𝐥𝐨𝐪𝐢..
Trupa teatrale përbëhej nga aktorët amatorë: Avdulla Rama, Mina Veshi, Llaqi Kola, Hysen Xheka, Jorgji Koshovari, Jorgji Panda, Jorgji Andrea, Sotir Argjendari, Stavri Poro, Andon Poro, Zoi Gjerazi, Nasi Bogo dhe Paskal Pogaçe.
𝐑𝐞𝐠𝐣𝐢𝐬𝐨𝐫𝐢 𝐢 𝐬𝐡𝐟𝐚𝐪𝐣𝐞𝐬 𝐢𝐬𝐡𝐭𝐞 𝐦ë𝐬𝐮𝐞𝐬𝐢 𝐋𝐥𝐚𝐪𝐢 𝐊𝐨𝐥𝐚, i diplomuar në Shkollën Normale të Elbasanit, i cili ishte marrë me teatër që gjatë viteve të studimeve.
Me këtë dramë do të realizohej edhe turneu i parë artistik i trupës në qytetet fqinje të Lushnjës dhe Beratit.
Gjatë viteve 1937–1938, në skenë do të viheshin edhe dy vepra të tjera teatrore: komedia e Molierit “Doktor pa dorashka” dhe drama “Lulja e kujtimit” e Foqion Postolit.
Në vitin 1938, trupa teatrore do ta ndërpriste aktivitetin e saj, duke mbyllur kështu etapën e parë të lindjes dhe fillimit të teatrit në Fier. Ndërkohë, pas Çlirimit, do të regjistroheshin zhvillime të reja në këtë fushë arti.
🎭Viti 1945 do të shënonte rinisjen e aktiviteteve teatrore në Fier, të organizuara tashmë në mënyrë të rregullt mbi baza amatore.
🎭Ato do të intensifikoheshin në vitin 1947 me krijimin e Teatrit Dramatik pranë Shtëpisë së Kulturës. Tradita e krijuar do ta ngrinte dramaturgjinë në një stad më të lartë, duke i hapur rrugë krijimit të trupave profesioniste.
Të tilla do të ishin themelimi i Estradës në vitin 1957 dhe krijimi i Teatrit "Bylis" në vitin 1971.
Po në këtë vit do të krijohej edhe Teatri i Kukullave, i cili më vonë do të merrte emrin e regjisorit të parë të trupës së tij dhe asaj të Estradës: Llazar Verria.
📸Këto fotografi janë dëshmi e gjallë e një historie teatrore që nisi 90 vjet më parë dhe vijon të jetojë në kujtesën, në skenën dhe në shpirtin e qytetit.
📝Nga Ilirjan Gjika