02/09/2026
ARKEOLOGJIA PSIKOLOGJIKE E NJERIUT SHQIPTAR
DHIMITËR ANAGNOSTI
Dhimitër Anagnosti një krijues që ka zbuluar, përmes figurës njerëzore, shtresat psikologjike të një shoqërie.
Në filmat e tij, historia nuk qëndron jashtë individit; ajo hyn në fytyrë, në trup, në heshtje, në marrëdhënie dhe në mënyrën se si njeriu qëndron përballë botës. ....Pikërisht këtu nis ajo që unë do ta quaja arkeologjia psikologjike e njeriut shqiptar. Anagnosti bëri diçka të ngjashme me njeriun : përmes personazhit, hapësirës, gjestit dhe heshtjes nxjerr në dritë atë që nuk thuhet dot lehtë me fjalë. Personazhet e tij janë më shumë se figura të një historie. Ata janë arkiva psikologjikë. Fytyra ruan frikën, trupi ruan përvojën, heshtja ruan konfliktin, ndërsa sjellja ruan gjurmët e kohës. Një vështrim, një ecje, një largim apo një trup i përkulur mund të tregojë atë që dialogu nuk e shpjegon. Kjo është pika ku kinemaja e Anagnostit afrohet me psikologjinë e artit. Ashtu si në pikturë, ku një ngjyrë, një dritë ose një boshllëk mund të mbartë një gjendje emocionale, edhe në film hapësira dhe figura bëhen bartëse të psikikës.
Shtëpia, rruga, fshati, mali, institucioni dhe muri nuk janë vetëm dekore. Ato krijojnë një topografi psikologjike. Hapësira e mbyllur mund të prodhojë ndjenjën e kontrollit; rruga mund të bëhet mundësi largimi; pragu mund të shënojë kalimin nga një botë në tjetrën.
Te Lulëkuqet mbi mure, kjo marrëdhënie bëhet veçanërisht e fuqishme. Vetë simbolika e titullit vendos përballë dy botë: lulëkuqen dhe murin. Lulëkuqja sjell ngjyrën, jetën dhe ndjeshmërinë; muri kufirin, izolimin dhe kontrollin. Nga këndvështrimi i teorisë së ngjyrës dhe perceptimit, një element i gjallë brenda një hapësire të kufizuar fiton një forcë të veçantë pikërisht përmes kontrastit. Këtu arti nuk e shpjegon psikologjinë. Arti e bën psikologjinë të dukshme.
Edhe vepra te Anagnosti është një gjuhë. Personazhi nuk shprehet vetëm përmes asaj që thotë, por edhe përmes asaj që nuk mund ose nuk dëshiron të thotë. Vepra e tij revoltë, dhimbje ose kujtesë. Për këtë arsye, analiza e filmave të Anagnostit duhet të shkojë përtej dialogut dhe të vëzhgojë fytyrën, trupin, ritmin, hapësirën dhe marrëdhënien midis personazhit dhe kamerës.
Trupi është një tjetër arkiv. Njeriu nuk e mban historinë vetëm në mendje; historia hyn edhe në trup. Në mënyrën si ecën, punon, ulet, prek, largohet ose përballet me autoritetin. Kështu, trupi i personazhit bëhet një formë e kujtesës së mishëruar.
Në Përrallë nga e kaluara, konflikti rreth martesës dhe normave tradicionale mund të lexohet si konflikt midis individit dhe një sistemi që vendos për të. Në Gjoleka, djali i Abazit, përplasja midis traditës dhe modernitetit shfaqet përmes marrëdhënieve familjare dhe shoqërore. Ndërsa te Lulëkuqet mbi mure, fëmija përballet me institucionin, autoritetin dhe kufirin.
Në të tre rastet lind e njëjta pyetje: Sa nga njeriu është zgjedhje personale dhe sa është prodhuar nga familja, koha dhe shoqëria?
Kjo pyetje e nxjerr Anagnostin nga kufijtë e një kinemaje vetëm shqiptare. Ajo e vendos krijimtarinë e tij në dialog me psikologjinë sociale, antropologjinë kulturore dhe studimin ndërkombëtar të imazhit.Një vepër artistike jeton më gjatë kur arrin të shndërrojë një përvojë lokale në një emocion universal. Prandaj disa imazhe të Anagnostit vazhdojnë të mbeten në kujtesë edhe te njerëzit që nuk e kanë jetuar kohën në të cilën ato filma u krijuan.
Por ekziston edhe një tjetër mënyrë për ta kujtuar një artist: jo përmes ekranit, por përmes jetës.
Unë e kam njohur Rozën, gruan që ecte përkrah tij. E kujtoj si një grua të bukur dhe elegante, me flokët e mbledhur topuz, që ecte në lagje pranë tij me një buzëqeshje të qetë, pothuajse hyjnore. Pranë saj, Anagnosti nuk ishte më vetëm kineasti që njihnim nga filmat; ishte njeriu fisnik që shfaqej në përditshmëri, në një ecje të zakonshme, pranë gruas së tij. Ky është një kujtim i vogël, por për mua ka vlerë artistike.
Një ecje. Një topuz. Një buzëqeshje. Dy njerëz pranë njëri-tjetrit.
Nuk kishte kamerë, skenar apo dialog. Megjithatë ekzistonte një kompozim njerëzor.
E shoh këtë kujtim pothuajse si një kuadër filmi: ritmin e ecjes, elegancën e figurës, afërsinë dhe qetësinë e dy njerëzve që ndajnë të njëjtën hapësirë. Dhe pikërisht këtu kujtesa lidhet përsëri me artin. Ne mund të harrojmë shumë nga ato që një njeri ka thënë, por ruajmë gjatë mënyrën se si e kemi parë.
Kjo më bën të mendoj se trashëgimia e Anagnostit nuk ndodhet vetëm në filmat e tij. Ajo ndodhet edhe në mënyrën se si ai dhe njerëzit e tij janë regjistruar në kujtesën e të tjerëve.
Prandaj, Anagnosti mund të quhet arkeolog i së padukshmes. Ai nuk ka regjistruar vetëm një Shqipëri historike; ka regjistruar gjurmët psikologjike që historia lë te njeriu. Historia mund të ndryshojë dhe sistemet mund të zhduken por koha mund të kalojë dhe imazhi që ka prekur psikikën vazhdon të jetojë.
Anagnosti nuk e vendos vetëm njeriun brenda historisë; ai e vendos historinë brenda psikikës së njeriut.
Dhe ndoshta kjo është forma më e thellë e artit të tij: të na bëjë të shohim jo vetëm atë që ka qenë Shqipëria, por çfarë ka mbetur prej saj brenda njeriut shqiptar.
Irina Hysi. 1 Shtator 2026.